Nga Ahmet Kasumi
Për dukurinë e shkurorëzimeve në Kosovë është folur shumë, në media, në qarqe akademike dhe në debate publike. Megjithatë, ajo që dua të ndaj këtu është përvoja ime e drejtpërdrejtë me këtë dukuri gjithnjë në rritje, e parë përmes syve të një profesionisti që ka qenë pjesë e shumë proceseve të tilla gjyqësore dhe jashtëgjyqësore.
Duke lënë anash aspektin normativ të së drejtës familjare në përgjithësi, dhe të shkurorëzimit në veçanti, dhe duke u përqendruar në dimensionin njerëzor dhe praktik të shkurorëzimeve, kam vërejtur se çdo rast, përtej procesit ligjor, bartë emocione të forta dhe shpesh trauma që prekin jo vetëm bashkëshortët, por edhe fëmijët e tyre.
Në përvojën time, shkurorëzimi nuk njeh as gjini, as moshë, as status social. Askush nuk është imun ndaj këtij fenomeni shoqëror. Megjithëse në opinion shpesh tentohet t’i atribuohet më shumë një gjinie apo një grupi të caktuar – dhe kjo, nuk qëndron. Kam përfaqësuar palë nga të dy gjinitë, me arsim, gjendje ekonomike dhe mënyra jetese të ndryshme.
Përvoja tregon se karakteristika më e shpeshtë e martesave që përfundojnë me shkurorëzim është mosdurimi i ndërsjellë, si shkak apo si pasojë. Arsyet e këtij mosdurimi, që në doktrinë njihet si mospërputhje karakteresh, lind nga faktorë të ndryshëm, ambicie të kundërta, ndryshim prioritetesh, rritje personale jo e balancuar në qift, ndikimi i rrethit shoqëror, apo edhe më shpesh mungesa e komunikimit.
Kur komunikimi dobësohet, krijohet një hendek i cili me kohën vetëm zgjerohet. Disa çifte përpiqen të zgjidhin problemet përmes dialogut apo këshillimit profesional, të tjerë përfundojnë duke u mbyllur në vetvete apo duke u dhënë pas veseve që e përkeqësojnë situatën. Në këto raste, shpesh ndodhin kriza që, jo rrallë, manifestohen në forma të dhunës psikike, fizike apo ekonomike, dhe fatkeqësisht përfundojnë duke përfshirë edhe fëmijët dhe organet e rendit.
Në këto momente të vështira, kontakti i parë me avokatin shpesh ndodh pasi marrëdhënia bashkëshortore ka përfunduar. Detyra e avokatit është që të sigurojë mbrojtjen ligjore të klientit dhe të njoftojë organet e mbrojtjes, aty ku është e nevojshme, për të garantuar mirëqenien e tyre.
Në rastet tjera, bashkëshortët zakonisht i drejtohen avokatit pasi kanë shteruar të gjitha mundësitë për pajtim. Në këtë fazë, është e drejtë dhe profesionale që avokati të përpiqet të ndërmjetësojë një pajtim nëse ekzistojnë gjasat reale për të, megjithëse, në shumicën e rasteve, bashkëshortët në këtë pikë tashmë nuk komunikojnë ose kanë vështirësi në komunikim.
Pasi bindet se pajtimi nuk është më i mundur, secili bashkëshort dëshiron të kuptojë të drejtat dhe përgjegjësitë e veta në raport me fëmijët, pasurinë e përbashkët dhe detyrimet reciproke. Informimi korrekt është thelbësor. Shumë bashkëshortë, pasi kuptojnë kufizimet dhe pasojat reale të shkurorëzimit, kërkojnë më shumë kohë për reflektim, dhe në disa raste, ky reflektim ka sjellë edhe pajtime të suksesshme.
Kur njëri ose të dy bashkëshortët kanë vendosur përfundimisht për ndarje, procedura vazhdon përmes padisë për shkurorëzim ose propozimit të përbashkët për zgjidhje martese. Në këto raste, çështjet që duhet të rregullohen janë kujdestaria e fëmijëve, ushqimi, të drejtat e vizitës dhe ndarja e pasurisë së përbashkët.
Faza gjyqësore në Kosovë është kryesisht formale, dhe nuk lënë shumë hapësirë për tu shprehur palët. Tentimet për pajtim gjatë seancës gjyqësore, në praktikë, rrallë sjellin ndryshim të rezultatit, sepse bashkëshortët zakonisht tashmë janë pajtuar me vendimin për ndarjen.
Kur ekzistojnë mospajtime për çështje thelbësore, si kujdestaria apo pasuria e përbashkët, gjykata vendos bazuar në provat dhe ekspertizat profesionale (psikologjike, financiare, sociale etj.).
Pas shpalljes së aktgjykimit, sfida e radhës është zbatimi i tij. Ka raste kur palët e pakënaqura pengojnë ekzekutimin e vendimit gjyqësor, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me kujdestarinë apo pasurinë. Në këto situata, asistenca juridike bëhet e domosdoshme për të siguruar zbatimin e plotë të vendimit të gjykatës.
Shkurorëzimi, përtej aspektit ligjor, është një proces emocionalisht i ngarkuar që kërkon ndjeshmëri, profesionalizëm dhe qasje njerëzore. Shkurorëzimi nuk duhet parë si dështim, por si një proces i vështirë që ndonjëherë bëhet i domosdoshëm për mirëqenien e individëve dhe fëmijëve.
Nga përvoja ime, çdo rast bartë një histori unike, dhe për secilën histori, drejtësia nuk është vetëm në aktgjykim, por edhe në mënyrën se si trajtohet njeriu gjatë këtij procesi.
Shkurorëzimi nuk është zgjidhja e vetme, por nëse ke vendosur të shkurorëzohesh, bëje me dinjitet!
Prishtinë, më 12 tetor 2025
